Overblog
Edit post Follow this blog Administration + Create my blog

KMSH vizitë zyrtare në Arabinë Saudite

Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari z. Skender Bruçaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Për disa ditë radhazi delegacioni do të zhvillojë disa takime të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Ditën e sotme më dt. 11.01.2014 kryeu i KMSH-së z. Bruçaj i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të institucionit që ai drejton ka zhvilluar një takim me Myftiun e Përgjithshëm të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdul Aziz Al El-Shejh.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vuajti pasojat e komunizmit dhe pas përpjekjesh dhe sakrificash të mëdha arriti, pas rithemelimit të tij në vitet ’90, të rifillojë dhe të organizojë aktivitetet e tij në shërbim të besimtarëve dhe në përhapjen e mesazhit të pastër Islam. Rruga është e gjatë dhe e vështirë dhe prandaj kemi nevojë për duatë dhe lutjet e shkëlqesisë Suaj për sukses e mbarësi”, tha ndër të tjera kryetari Bruçaj.

Shkëlqesia e Tij, Myftiu i Përgjithshëm, theksoi se “Jemi në dijeni të gjendjes në të cilën komunizmi e la Shqipërinë dhe jemi pranë jush. Ju tërheqim vëmendjen që çdo punë tuajën ta bëni që t’i afroheni me anë të saj kënaqësisë së Zotit dhe gjithashtu të kujdeseni që të mos bëheni shkas për përçarje dhe prishje marrëdhëniesh mes vëllezërve të fesë dhe të kombësisë.”

Pyetjes së drejtuar nga ana e kryetarit Bruçaj se çfarë u këshillonte myslimanëve shqiptarë për ngjarjet e fundit prej të cilave të gjithë ne ndikohemi, ai iu përgjigj duke thënë: “Ju këshilloj të mbani të fortë frymën e vëllazërisë mes jush dhe gjithashtu të asaj të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me vëllezërit tuaj të besimeve të tjera dhe mos bini pre e provokimeve dhe përpjekjeve dashakeqe që dëshirojnë përçarjen tuaj.”

Takimi u zhvillua në një klimë të ngrohtë e shumë vëllazërore dhe ai u paraprin një sërë takimesh të rëndësishme të planifikuara nga delegacioni i KMSH-së.

Delegacioni i KMSH-së ka zhvilluar një takim të rëndësishëm edhe me Ministrin e Çështjeve Islame dhe Vakëfeve, Thirrjes dhe Udhëzimit në Arabinë Saudite, Prof. Dr. Sulejman bin Abdullah Ebal Khajl.

Ministri Ebal Khajl theksoi se “Siç e dimë të gjithë puna jonë bazohet në Kur’an dhe Traditën Profetike dhe puna jonë është e atillë, që të ngrejmë lart bashkëjetesën dhe tolerancën dhe gjithashtu të mbështesim myslimanët me të gjitha mundësitë e dhëna në fushën e arsimit, ekonomisë etj. Në këto parime duam që të bazohet edhe e ardhmja. Sado të ndryshme të jenë mendimet dhe kuptimet tona, duhet të mbështetemi tek Islami i rrugës së mesme dhe të përparojmë për të mirën e myslimanëve.

Jam i lumtur për këndvështrimin që ndajmë me kryetarin e KMSH-së ndaj Islamit dhe kjo ndihmon në paraqitjen e imazhit të pastër të Islamit dhe do të punojmë së bashku për realizimin e synimit tonë të përbashkët.”

Kryetari Bruçaj, nga ana e tij, u shpreh se, “Ju falënderoj për mikpritjen vëllazërore dhe ndjesinë e komfortit që na keni dhënë. KMSH ka mbetur jetim për shkak të dëmeve të shkaktuara nga sistemi i kaluar monist. Përgjegjësia jonë është e dyfishtë, kundrejt myslimanëve dhe në përfaqësimin e denjë të Islamit te të tjerët. Dëshirojmë që zëri ynë të dëgjohet e respektohet jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë.”

Në fund të këtij takimi pasi e falënderoi për të gjitha veprimtaritë dhe punën e kryer në Shqipëri, kryetari Bruçaj e ftoi ministrin për një vizitë në Shqipëri.

Dita e sotme është pasuar edhe me një takim me kreun e Organizatës Botërore për Rinisë Islame – WAMY. Kryetari i KMSH-së, Skender Bruçaj, gjatë vizitën në Organizatën Botërore për Rininë Islame ndër të tjera tha se, “Kemi pasur dhe kemi marrëdhënie të mira me përfaqësuesit e WAMY në Shqipëri dhe urojmë që të bashkëpunojmë edhe më shumë, në mënyrë që të forcohet puna institucionalisht dhe të forcohet Islami në Shqipëri”.

Kryetari i Organizatës Botërore për Rininë Islame, Dr. Saleh S. Alwohaibi, shpjegoi fillimin e aktivitetit të kësaj organizate në vitin 1972, organizatë e cila e fokuson punën e saj te të rinjtë me seminare, takime, konferenca dhënie bursa studimi etj. “Kemi punuar në vende të ndryshme të botës në ndihmë të myslimanëve dhe sidomos në vendet të cilat aktualisht po kalojnë vështirësi si Siria, Iraku, Libia etj. Shpresojmë që ta shtojmë bashkëpunimin tonë me KMSH-në që t’i shërbejmë vëllezërve shqiptarë sipas mundësive tona”, tha ndër të tjera z. Alwohaibi.

Delegacioni shqiptar i shprehu mirënjohjen për mikpritjen, ndërsa z. Alwohaibi tha se ishin të mirëpritur në vendin e tyre të dytë, Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Kreu i KMSH-së Skender Bruçaj shoqërohet nga drejtori i Haxhit dhe i Marrëdhënieve me Botën Islame Hamdi Çurri, drejtori i Vakf-Investimeve Uran Kalej, myftiu i Elbasanit Agim Duka, këshilltari Elmaz Fida dhe përgjegjësi për Sektorin e Zekatit në KMSH Andrin Rasha.

Share this post
Repost0
To be informed of the latest articles, subscribe: